Evropa Jugore po përballet me një nga krizat më të rënda mjedisore të viteve të fundit. Vala e të nxehtit rekord dhe erërat e forta kanë nxjerrë jashtë kontrollit qindra vatra zjarri në Francë, Spanjë dhe Portugali, duke shkaktuar evakuime masive, shkatërrim të zonave të mbrojtura dhe një bilanc tragjik viktimash nga temperaturat ekstreme.
Situata mbetet kritike në jug të Francës, përgjatë vargmalit të Pirenejve në kufi me Spanjën. Më shumë se 10,000 banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar flakëve, të cilat deri tani kanë gllabëruar mbi 11,000 hektarë tokë. Nga terreni raportohet për të paktën 16 të plagosur, mes të cilëve katër zjarrfikës.
Përballë kësaj katastrofe, Parisi zyrtar ka aktivizuar Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile. Ndihma e parë ka mbërritur nga Bashkimi Evropian, i cili ka dislokuar mbi 100 zjarrfikës dhe katër avionë të specializuar nga Suedia dhe Qiproja.
Zjarret kanë trazuar edhe agjendën sportive; për shkak të rrezikut të lartë dhe për t’u lënë rrugë të lirë mjeteve të emergjencës, organizatorët e garës së famshme çiklistike “Tour de France” u detyruan të mbyllin një etapë për publikun dhe të ndryshojnë itinerarin e çiklistëve.
Në anën tjetër të kufirit, në Spanjë, bilanci është akoma më i rëndë. Rreth 22,000 hektarë tokë janë bërë shkrumb e hi, ku goditjen më të madhe e ka marrë zona e mbrojtur natyrore Les Gavarres (97% e sipërfaqes së djegur). Ndërkohë, në provincën Castellón, rreth 500 banorë të zonës rreth parkut kombëtar Sierra de Espadán janë evakuuar me urgjencë.
Gjendja paraqitet dramatike edhe në Portugali, ku vetëm në pesë ditët e para të korrikut janë djegur mbi 150,000 hektarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipërfaqja e prekur nga flakët është katërfishuar, ndërsa numri i vatrave të zjarrit ka pësuar një rritje prej 70%. Spanja ka dërguar me urgjencë një kontingjent prej 118 zjarrfikësish, 45 mjetesh dhe tre avionësh për të ndihmuar autoritetet portugeze.
Ekspertët e mjedisit pohojnë njëzëri se ky intensifikim i zjarreve është pasojë direkte e ndryshimeve klimatike, duke kujtuar se Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër në glob.
Përveç dëmeve në faunë dhe florë, temperaturat ekstreme po vrasin. Sipas të dhënave të fundit, vala e të nxehtit ka shkaktuar një rritje të frikshme të vdekshmërisë anësore në disa shtete evropiane:
Francë: mbi 2,025 vdekje shtesë
Belgjikë: 1,222 vdekje shtesë
Holandë: rreth 480 vdekje shtesë
Sipas sinoptikanëve, vala e të nxehtit pritet të përkeqësohet në ditët në vijim, çka ka bërë që autoritetet t’u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal.
